Kongresmeni amerikan Ritchie Torres është mik i madh i vendit dhe populli tonë

Pas kthimit nga Kanadaja, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj priti në takim mikun e tij dhe gjithë Kosovës, kongresmenin amerikan Ritchie Torres.

Duke i dëshiruar mirëseardhje në vendin tonë, Ministri Mehaj i shprehu Kongresmenit Torres edhe këtë radhë falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për gjithë mbështetjen e dhënë nga ai në Kongresin Amerikan për ne, SHBA-së si vend aleat jetik dhe popullin amerikan si komb mik yni.

Sikur edhe në takimet e tij të mëhershme me Kongresmenin Torres, edhe këtë radhë, Ministri Mehaj e njoftoi me situatën aktuale të sigurisë në vend pas krizës në Ukrainë dhe ndikimit destabilizues rus përmes qasjes destruktive të Serbisë kundër Kosovës dhe në përgjithësi kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.

Gjithashtu, Ministri Mehaj e njoftoi Kongresmenin Torres edhe me të arriturat tona të përgjithshme, proceset aktuale zhvillimore si dhe synimet tona për të ardhmen, duke i rikujtuar kërkesën tonë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë që do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.

Në fund, ai i ritheksoi se vizioni ynë shtetëror është anëtarësimi në NATO, në aleancë të përhershme me SHBA-në, gjithmonë në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë.

 

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.