BASHKIM JASHARI
KOMANDANTI I FORCËS SË SIGURISË SË KOSOVËS
GJENERALLEJTËNANT

Është Komandanti i katërt i Forcës së Sigurisë së Kosovës, oficeri me gradën më të lartë në Republikën e Kosovës dhe këshilltari kryesor ushtarak i Presidentit, Kryeministrit dhe Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Bashkim JASHARI lindi më 15 nëntor 1977 në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt. Gjeneral JASHARI ishte gjithmonë krah heronjve kombëtarë Hamëz e Adem JASHARI, dhe shumë luftëtarëve të tjerë, të cilët qëllim kishin çlirimin e popullit të Kosovës nga dhuna dhe terrori që po i bëhej nga pushteti serb. Gjeneral JASHARI është njëri nga dy të mbijetuarit e familjes së tij, i cili luftoi deri në fund duke thyer rrethimin treditorë që i ishte bërë familjes JASHARI nga forcat policore – ushtarake dhe paramilitare serbe. Pas qëndresës heroike të familjes JASHARI, e cila u bë simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në Kosovë shpërtheu luftë e ashpër, por gjeneral JASHARI nuk u zmbraps asnjëherë, ai vazhdoi rrugëtimin e familjes së tij, duke inspiruar shumë djem dhe vajza që t’iu bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri. Gjatë kohës kur ishte pjesë aktive dhe e pandashme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shërbeu si Zëvendëskomandant i Zonës Operative të Drenicës.

Gjeneral JASHARI vazhdoi karrierën e tij ushtarake duke shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, që ishte organizatë pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht, në vitin 1999 u emërua Zëvendëskomandant i Zonës së Parë Mbrojtëse, ndërsa në qershor të vitit 2001 emërohet Komandant i kësaj zone. Reputacioni si ushtarak i dalluar dhe shumë i respektuar për kontributin e dhënë gjatë luftës ishte një faktor kyç, dhe shumë i rëndësishëm që e ndihmojë të punojë dhe të jetë i përkushtuar drejt krijimit të një ushtrie moderne dhe profesionale.
Me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në vitin 2009, Gjeneral JASHARI u bë pjesë e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës duke u emëruar Inspektor Gjeneral i FSK-së. Ai kishte një rol tejet të rëndësishëm gjatë procesit të tranzicionit të FSK-së, ku siguronte që stafi i Ministrisë dhe FSK-së i zhvillonte këto procese në përpikëri dhe gjithmonë në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Gjeneral JASHARI në mars të vitit 2018 gradohet Gjeneralmajor, dhe pas transformimit të Ministrisë u riemërua Inspektor Gjeneral. Në nëntor të vitit 2021, Gjeneral JASHARI emërohet Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Studimet ushtarake të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Studimet e Sigurisë dhe Mbrojtjes i kreu në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” në Shqipëri. Gjatë studimeve ushtarake ai publikoi punimin shkencor me temën “Formimi i UCK-së, krijimi i shtetit si rezultat i luftës”. Ndërsa studimet civile i kreu në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Gjeneral Jashari është i martuar, baba i katër fëmijëve, një vajzë dhe tre djem.

Medaljet dhe Mirënjohjet:
2017 Medalja “Shërbim Vetëmohues” nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës
2015 Medalja “Shërbim Vetëmohues” nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës
2012 Medalja “Shërbim i Shquar” nga Ministri i Mbrojtjes
2008 “Medalja Presidenciale e Meritave” nga Presidenti i Republikës së Kosovës

Trajnimet, kurset dhe seminaret:
2016 Pjesëmarrje në Simpoziumin Ndërkombëtar të Luftës Ajrore në Akademinë e Luftërave Ajrore.
2015 Planifikim, Programim dhe Buxhetim për udhëheqësit e lartë – Instituti i Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes.
2010 Punim shkencor “Formimi i UCK-së, krijimi i shtetit si rezultat i luftës” – Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, Tiranë.
2010 Kursi i Lartë për Siguri dhe Mbrojtje – Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, Tiranë.
2007 Kursi i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm – Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, Tiranë.
2001 Lidership – Ministria e Punëve të Brendshme.
1999 Siguria Civile – Francë.

Aktivitete të tjera:
Noti, futbolli dhe ecje në natyrë (hiking), janë disa nga aktivitetet e tij të preferuara.
Gjuhët e huaja:
Angleze (nivel elementar).