Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Norwichit në SHBA

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, më datë 17 tetor 2019, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në SHBA, vizitoi Universitetin e Norwich-it në Vermont.
Gjeneral Rama në emër të Ministrisë së Mbrojtjes ka nënshkruar Marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin e Norwich-it për të bashkëpunuar në fushën e edukimit, hulumtimit shkencor në fushën ushtarake, si dhe garave në mes të kadetëve të këtyre institucioneve.
Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Gjeneral Rama e falënderoi presidentin e këtij institucioni Richard Schneider për besimin dhe mundësinë e dhënë duke theksuar se ky bashkëpunim do të kontribuojë në avancimin e njohurive dhe përvojave të kadetëve të të dyja institucioneve.
Gjeneral Rama së bashku me delegacionin e tij të përbërë nga kolonel Ilir Qeriqi, atashe i Mbrojtjes në SHBA, major Korab Dauti SHPFSK dhe major Jaser Mulla, asistent ushtarak i KOMFSK-së, patën rastin të vizitojnë Qendrën Trajnuese për Mbrojtje Kibernetike, ku nga stafi i kësaj qendre janë njoftuar për funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit të saj mësimor.
Me një traditë 200-vjeçare, Universiteti i Norwichit-it, i cili njihet edhe si Kolegji Ushtarak i Vermontit, konsiderohet të jetë institucioni ushtarak më i vjetër në SHBA. Me një staf mjaft profesional dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme, qëllimi i këtij kolegji është që të edukojë dhe të trajnojë kadetët e rijnë për të qenë liderë të ushtrisë amerikane.
Realizimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi pritet të filloj në vitin 2020.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.