Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari qëndron në vizitë zyrtare në Turqi

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të homologut turk, Shefi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Gjeneral Jashar Guler, është duke realizuar vizitë zyrtare treditore në Turqi. Gjatë qëndrimit në Turqi, Gjeneral Jashari nën shoqërimin e Gjeneral Guler, u prit në takim zyrtar nga Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar. Me këtë rast, Gjeneral Jashari me Ministrin Akar, diskutoi një sërë çështjesh duke filluar nga zhvillimet e sigurisë në Evropë, ato në rajon dhe sfidat në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Temë e veçantë diskutimi ishte mbështetja e Turqisë për Kosovën për pjesëmarrje në programin e Partneritetit për Paqe dhe procesin e anëtarësimit në NATO. Veç tjerash me Ministrin e Mbrojtjes, Gjeneral Jashari diskutoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e ngushtë nga Republika e Turqisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë drejt modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po ashtu Gjeneral Jashari, u prit me nderime të larta edhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, nga shefi Gjeneral Guler. Në takim me Gjeneral Guler, u diskutua pjesëmarrja e FSK në ushtrimin fushor ndërkombëtar në Turqi “EFES’2022” që ka përfunduar disa javë me herët me një performancë të shkëlqyer të pjesëtarëve të FSK-së. Gjeneral Jashari vizitoi edhe Komandën e Forcës Tokësore dhe Komandën e Forcave Speciale. Me këtë rast, Gjeneral Jashari nga komandantët e njësive përkatëse, u njoftua me zhvillimet dhe kapacitetet e tyre. Me komandantët e këtyre njësive, ai u dakordua që të rritet numri i pjesëtarëve pjesëmarrës të FSK-së në trajnime dhe shkollime profesionale që ofrohen nga to. Vizita zyrtare u vazhdua në qytetin e Stambollit, ku Gjeneral Jashari u prit me ceremoni nga kryetari i Komunës së Bajrampashës, Atila Ajdiner. Me këtë rast ai së bashku me kryetarin Ajdiner vizitoi Parkun “Adem Jashari” në këtë komunë.

 

 

 

 

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.