Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti në takim Zëvendës Komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, Gjenerallejtënant Michael L. Howard

Gjatë takimit dy gjeneralët diskutuan për rritjen e bashkëpunimit mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara. FSK konfirmoi përkushtimin e saj përmes zotimit për mikpritjen e ushtrimit shumëkombësh “DEFENDER EUROPE ‘23” që realizohet nën kupolën e Komandës Evropiane. Aktualisht FSK vazhdon të marrë pjesë në një numër të madh të ushtrimeve dhe trajnimeve të realizuara nga Komanda Evropiane.

Në këtë takim u diskutua edhe situata e sigurisë në Evropë, me theks të veçantë në Ukrainë dhe ndikimi i Rusisë në Ballkan. Gjeneral Jashari edhe njëherë deklaroi se zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë si dhe realizimit të aspiratave të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO.

Gjeneral Howard ritheksoi gatishmërinë e Komandës Evropiane për të mbështetur FSK-në në rrugën e saj për zhvillim të mëtutjeshëm përmes ushtrimeve, trajnimeve, këshillë-dhënies dhe programeve ushtarake. Gjithashtu, ai falënderoi FSK-në për mbështetjen në trajtimin e refugjatëve afganë.

Në fund Gjeneral Jashari i shprehu mirënjohje të veçantë Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e dhënë si partner strategjik në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.