Gjenerali Rrahman Rama e dekoroi me medalje kolonelin Italian Virgilio Perroti

Në Ministrinë e Mbrojtjes, sot u mbajt ceremonia përcjellëse për këshilltarin e NALT-it, kolonelin Virgilio Perroti, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast të pranishëm ishin: komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë dhe drejtorë të departamenteve dhe drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe oficerë të NALT-it.
Komandanti i FSK-së gjeneral Rama e falënderoi kolonelin Perroti për përkushtim në kryerjen e detyrave, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë shërbimit të tij në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e dekoroi me medaljen „Shërbim Vetëmohues“ kolonelin Virgilio Perroti; për performancë të shkëlqyeshme gjatë kryerjes së detyrës si këshilltar nga Italia në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, gjatë periudhës kohore 02 nëntor 2018-24 nëntor 2019, si dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme dhënë FSK-së.
Nga ana e tij, koloneli Virgilio Perroti, në fjalën e tij, ka falënderuar Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneralin Rrahman Rama, si dhe të gjithë gjeneralët dhe oficerët e FSK-së për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.