FSK-ja zhvillon dy operacione për zhvendosjen dhe deponimin e materieve të rrezikshme

Kompania e Materieve të Rrezikshme (KMRR) e Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) e Gardës Kombëtare (GK), gjatë këtij muaji ka zhvilluar dy operacione të rëndësishme për zhvendosjen dhe deponimin e materieve të rrezikshme. Njëri operacion është kryer në QKUK dhe tjetri në fabrikën e tekstilit në Gjakovë.
Në periudhën prej 14 deri më 20 nëntor 2019, një skuadër e Kompanisë së Materieve të Rrezikshme, ka zhvilluar operacionin e zhvendosjes dhe deponimit të materieve të rrezikshme (mbetje si reagenca që janë përdorur në zhvillimin e analizave laboratorike) nga Reparti i Biokimisë në QKUK për në sanatorium (lokacionin brenda QKUK-së). Ky operacion ka përfunduar me mjaft sukses.
Ndërkaq, që nga data 11 nëntor 2019 është duke u zhvilluar operacioni i ri-ambalazhimit dhe deponimit të materieve të rrezikshme në „Devolli Corporation“, ish-fabrika e tekstilit „Emin Duraku“ në Gjakovë.
Ky ri-ambalazhim dhe deponim ka rrjedhur si rezultat i inspektimeve të vazhdueshme nga Kompania e Materieve të Rrezikshme, me qëllim të reduktimit të rrezikut nga kontaminimi i mëtutjeshëm.
Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë profesionale, e përgatitur mirë dhe e gatshme që t’iu përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.