FSK-ja hapi ekspozenë e konferencës ndërkombëtare për mjekësi

Me ftesë të organizatorit të Seminarit dhe Panairit Mjekësor Ushtarak (WEBEX) të Turqisë, koloneli i FSK-së, dr. Xhevdet Tahiraj, drejtor i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, mori pjesë, përmes video-lidhjes, drejtpërdrejt në punimet e konferencës ndërkombëtare për mjekësi të mbajtur në Turqi.

Ceremoninë e hapjes së konferencës e bëri, koloneli, dr. Xhevdet Tahiri, i cili, ndër të tjera, tha: „Dëshiroj të shpreh respektin më të thellë për Republikën e Turqisë dhe në veçanti për organizatorët e kësaj konference, për ftesën dhe për nderin që më ofruan për hapjen e punimeve të kësaj konference. Ne e vlerësojmë shumë pjesëmarrjen në Seminarin dhe Panairin Mjekësor Ushtarak, dhe mendojmë se gjatë këtyre bashkëbisedimeve do të fitojmë njohuri të reja dhe do të ndajmë përvojat në luftimin e COVID-it-19, këtij armiku të përbashkët dhe të padukshëm. Dëgjimi i përvojave të vendeve tjera, se si ato arritën ta menaxhojnë këtë pandemi, është mjaft i rëndësishëm për të krijuar një koncept për përballimin sa më mirë të ndonjë vale të re të mundshme.

COVID-19, në fakt, na ka mësuar se si së bashku mund të luftohet dhe të menaxhohet më lehtë përhapja e ndonjë virusi. Mund ta quajmë mësim të kohës moderne, i cili na mësoi të jemi të gatshëm për kërcënime pandemie të panjohura si COVID-19, se si të merren masa duke ngritur nivelin e reagimit dhe të bëhen plane konkrete për parandalimin e ndonjë sëmundjeje apo infeksioni. Që nga fillimi i pandemisë në botë, përpara se ajo të shfaqej në vendet e rajonit, ne si vend filluam përgatitjet e para. Konkretisht, në Ministrin e Shëndetësisë krijuam Komitin Kombëtar për Monitorimin e Sëmundjeve Infektive, në veçanti COVID-it-19, duke përgatitur edhe Planin e gatishmërisë për reagim.

Në menaxhimin e COVID-19, FSK-ja me Task-Forcën e saj, me urdhër të komandantit, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë, u dallua duke iu ofruar mbështetje ushtarake autoriteteve civile, institucioneve qendrore dhe lokale, Institutit Kosovar të Shëndetit Publik dhe agjencive të tjera civile. Nga 14 marsi, kur edhe është evidentuar rasti i parë, deri më 31 maj 2020, Forca e Sigurisë së Kosovës zhvilloi 659 aktivitete“.Në fund të fjalës së tij, koloneli Dr. Xhevdet Tahiri, shtoi se: „Përmes këtij WEBEX-si shpresojmë ta forcojmë bashkëpunimin tonë në fushën e mjekësisë ushtarake.“Paraqitja e kolonel Tahirit u vlerësua lart nga organizatori i kësaj konference.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.