Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në vend

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar edicionin e dhjetë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) përmes të cilit maten perceptimet publike në Kosovë në lidhje me besimin e qytetarëve në institucione dhe çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë. Nga të gjitha të dhënat rezulton se, Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar, me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të. Në edicionin e tij të dhjetë, BKS-ja ka marrë një shtrirje rajonale dhe është zhvilluar paralelisht në Kosovë dhe Serbi duke shënuar edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). Edicioni i BKS, raporti për Kosovën, përbëhet nga tre kapituj. Kapitulli i parë paraqet perceptimet e qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione e nivelit qendror dhe lokal. Në anën tjetër, kapitulli i dytë interpreton perceptimet e qytetarëve lidhur me korrupsionin në këto institucione. Së fundmi, në kapitullin e tretë reflektojnë të gjeturat e raportit për kontaktin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me këto institucione në 12 muaj e fundit. Teksa në kapitujt e lartpërmendur ky raport ofron një pasqyrë të përgjithshme të perceptimeve të qytetarëve, ai gjithashtu paraqet zbërthimin e të dhënave sipas gjinisë, rajonit, zonës (urbane/rurale), moshës (18-35/36+) dhe përkatësisë etnike të të anketuarve. Për më tepër, raporti ofron analiza shtesë për arsyet pse ekzistojnë perceptime të tilla të qytetarëve në lidhje me çështjet e paraqitura Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal “Barometri i sigurisë në Ballkanin Perëndimor – promovimi i llogaridhënies në Institucionet e Sigurisë dhe Drejtësisë” i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Forca e Sigurisë së Kosovës, epitetin e institucionit më të besueshëm në vend, vazhdon ta mbajë për vite me radhë. Ky është rezultat i politikave të duhura të qeverisjes së mirë dhe integritetit institucional me transparencë dhe llogaridhënie të plotë në të gjitha nivelet e udhëheqjes, administrimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe drejtimit, komandimit dhe operacionalitetit të FSK-së. Publikimi i raportit mund të gjendet këtu: https://www.facebook.com/KCSSQKSS/videos/1327000434302122

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.