Ekipet mjekësore të FSK-së i bashkohen stafit mjekësor të QKUK-së

Pas trajnimit specifik për përballje me pandeminë COVID-19, sot stafit mjekësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, iu bashkuan tri ekipe mjekësore në përbërje prej 12 infermierë/re nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Ky kontingjent profesional i FSK-së do të shërbej në kuadër të sistemit menaxherial të QKUK-së dhe do të lehtësojë shumë stafin permanent të Klinikës Infektive pas angazhimit të sforcuar të tyre dhe nevojës imediate për staf shtesë përgjatë periudhës së shfaqjes së pandemisë në vendin tonë. Të pranishëm në ceremoninë e fillimit të angazhimit të ekipeve mjekësore të FSK-së, përveç drejtorit të QMFSK-së, Dr. Shkëlzen Syla, ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe u.d. drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Dr.Valbon Krasniqi. Nga ana e tij, dr. Krasniqi, vlerësoi lart mbështetjen e ofruar në këtë formë nga ana e FSK-së, duke shprehur besimin e plotë në shkathtësitë dhe profesionalizmin e dëshmuar në të gjitha aktivitetet dhe ndihmën konkrete tani ndaj pandemisë COVID-19. “Kam shumë besim në profesionalizmin tuaj. Shkëmbimi i përvojave tuaja do ta ndryshojë mozaikun e plotë për shërbime sa më kualitative për pacientët tanë”, ka deklaruar Krasniqi. Nga ana e tij, ministri Zemaj, theksoi se përmes këtij bashkëpunimi do të fuqizohet lufta kundër pandemisë COVID-19. “Bashkëpunimi ndërinstitucional për ta luftuar pandeminë po i jep rezultatet e veta.

Në momente të vështira kemi pranë djemtë dhe vajzat e FSK-së, që janë të gatshëm për t’u vënë plotësisht në shërbim të qytetarëve.”, tha ndër të tjera ministri Zemaj. Sipas drejtorit të Qendrës Mjekësore të FSK-së, Dr. Shkëlzen Syla, ekipe të ngjashme mjekësore të FSK-së janë duke u përgatitur për mbështetjen edhe të qendrave spitalore rajonale të vendit. Që nga marsi kur janë paraqitur rastet e para me COVID-19, FSK në kuadër të detyrës së saj ligjore për mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në nivelin 2 dhe ka realizuar aktivitete të shumta me aftësitë dhe kapacitetet e saj operacionale në dispozicion.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.