Dy kadetët e parë të FSK-së diplomojnë në Akademinë ushtarake West Point

Pas studimeve 4 vjeçare në akademinë ushtarake më prestigjioze në SHBA dhe në Botë, e njohur edhe si West Point, me traditë 218 vjeçare, dy kadetët e FSK-së , Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, diplomuan me sukses të lartë. Suksesi i kadetëve tanë është i veçantë pasi që për herë të parë në akademinë ushtarake prestigjioze të West Pointit në SHBA, u diplomuan dy kadetë nga Kosova. E veçanta e kësaj ngjarje është edhe fakti se në ceremoninë e veçantë të diplomimit këtë vit mbajti fjalimin edhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Ceremonia e diplomimit u mbajt nën masat për parandalimin e pandemisë COVID-19 që pamundësoi pjesëmarrjen e mysafirëve, familjarëve të kadetëve dhe publikut të gjerë. Në mesin e 1100 kadetëve të diplomuar në këtë gjeneratë, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, janë dy oficerët e rinj të FSK-së të cilët njohuritë profesionale dhe akademike për doktrinat e taktikave ushtarake më të avancuara në Botë do t’i zbatojnë me ushtarët dhe nënoficerët e FSK-së. Edhe përshtypjet për rëndësinë e ngjarjes dhe suksesit ishin të veçanta nga të dy kadetët. “Mbi të gjitha kjo ditë më ka ngjall ndjenja krenarie pasi e kam pasur nderin ta përfaqësoj vendin në një skenë ndërkombëtare si West Pointi. Motoja me të cilën kthehem në Kosovë është – Detyra, Nderi, Atdheu – e cila rritë ndjenjën e përgjegjësisë për t’i kontribuar vendit tim” theksoi kadet Arelena Shala, si gruaja e pare shqiptare që diplomohet në një akademi ushtarake në fushën e inteligjencës gjeo-hapësinore. Kurse Ylli Dalladaku për inxhinieri dhe aeronautikë, thotë se njohuritë e fituara në West Point i ka të ndërtuara mbi vlerat e Detyrës, Nderit dhe Atdheut si faktorët kryesor të suksesit për çdo ushtri. “Unë do të punoj dhe do të punoj jashtëzakonisht shumë që të udhëheq dhe inspiroj togun tim dhe të udhëheq me shembull duke i ofruar kompetencë, dedikim ndaj detyrës dhe disiplinë.” Theksoi në fund kadet Dalladaku. Kadetët tanë kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë dhe FSK-në, duke u radhitur në 5 përqindëshin e studentëve me rezultatet më të mira në klasën e tyre.

Suksesi i tyre është njëherit edhe mirënjohja e vlerësimi më i mirë për mbështetjen jetike të SHBA-së dhe forcave të saj, si aleatët tanë të pazëvendësueshëm. Në këtë aspekt, kjo mbështetje vazhdon edhe me pranimin e tre kadetë të rinj që këtë vit fillojnë shkollimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga të cilët dy në West Point dhe për herë të parë një kadet në Forcat Ajrore të SHBA-së.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.