Diplomojnë me sukses të lartë, ushtarakët tanë në Shkollën Ushtarake të Gjuhëve të Forcave Tokësore të Republikës së Turqisë

Në një ceremoni solemne të organizuar në Shkollën Ushtarake të Gjuhëve të Forcave Tokësore të Republikës së Turqisë, diplomuan tetë pjesëtarë të FSK-së. Pjesëtarët e FSK-së Major Fatlum Demiri, Tetar Genc Shala dhe Ushtarët e Klasit të Parë Albin Krasniqi, Ismajl Fejza e Neziri Krasniqi nga data 11 Tetor 2021 deri më 17 Qershor 2022, kanë ndjekur Kursin Bazik të Gjuhës Turke, përderisa Tetarët Arsim Bejta e Labinot Ademi si dhe Ushtar i Klasit të Parë Arianit Mehmeti nga 21 Mars 2022 deri më 17 Qershor 2022, kanë ndjekur Kursin e Avancuar të Gjuhës Turke. Të gjithë pjesëtarët e FSK-së, përpos përkushtimit dhe disiplinës shembullore të treguar, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm përgjatë kësaj periudhe kohore. Vlen të përmendet që Tetar Arsim Bejta u rendit i treti në Kursin e Avancuar të Gjuhës Turke përderisa Major Fatlum Demiri dhe Ushtar i Klasit të Parë Ismajl Fejza u radhitën në top 10% e kursistëve në Kursin Bazik të Gjuhës Turke. Në këtë kurs kanë marrë pjesë rreth 60 oficerë dhe nënoficerë, nga 10 shtete të ndryshme të botës. Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe Atasheu i Mbrojtjes  i Republikës së Kosovës në Turqi, Nënkolonel Bekim Zejnullahu, i cili për pjesëtarët e FSK-së shpërndau diplomat e përfundimit të kurseve përkatëse. Përfundimi i këtij kursi do të shërbejë si mundësi e shkëlqyeshme për edukimin dhe shkollimin e mëtejme, ngase shumica prej tyre do të vazhdojnë kurset dhe trajnimet e ndryshme ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.