Agim Çeku

Agim Çeku lindi në Qyshk të Pejës, më 1960. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin ushtarak në Beograd.

Akademinë Ushtarake e kreu në Beograd dhe në Zarë të Kroacisë, ku edhe diplomoi në vitin 1984 si Oficer Artilerie. Më pastaj kreu “Senior Executive Course” në George Marshall Centre në Gjermani.

Detyrën e Ministrit të FSK-së e mori më 24 shkurt 2011.
Prej vitit 2006 deri më 2008 ishte Kryeministër i Kosovës. Ai mori pjesë në negociata për statusin e Kosovës dhe zhvilloi një aktivitet të dendur diplomatik, duke përfaqësuar vendin në shumë konferenca dhe forume të rëndësishme ndërkombëtare. Nën qeverisjen e tij, Kosova ka bërë përgatitjet e nevojshme për procesin e pavarësisë.

Që nga viti 2008 deri në janar të vitit 2013, ishte Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

Ka një karrierë ushtarake të suksesshme.
Ishte pjesëmarrës i luftërave për çlirim në Kosovë dhe Kroaci.
Në shkurt të vitit 1999 lirohet nga Ushtria Kroate për t’ju bashkuar UÇK-së. Në prill të këtij viti emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Drejtoi me sukses transformimin e UÇK-së në TMK. Në shtator të vitit 1999 emërohet Komandant i TMK-së. Për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës është dekoruar pas luftës me urdhrin “Adem Jashari” dhe me vendim të KFOR-it dhe UNMIK-ut avancohet në gradën Gjenerallejtnant.

Në vitin 1995 emërohet Shef i Shtabit të Distriktit Ushtarak të Gospiqit. Këtu komandoi forcat e këtij distrikti në operacionin sulmues \"Stuhia\", si dhe operacionet sulmuese në Bosnjë dhe Hercegovinë, deri në marrëveshjen e Dejtonit.

Në vitin 1993 kishte marrë gradën Kolonel. Paraprakisht ishte emëruar Shef i Artilerisë në Brigadën e 9-të në Gospiq- Kroaci. Në këtë vit, gjatë operacionit “Xhepi i Medakut” plagoset rëndë. Tani ka statusin e invalidit të luftës në Kroaci.

Më 1992, si komandant i një batalioni të këmbësorisë, merr gradën Major.
Nga viti 1989 deri më 1991 ishte ligjërues dhe komandant i kompanisë së kadetëve në Akademinë Ushtarake në Zarë të Kroacisë. Gjatë viteve 1986-1987 ishte komandant togu dhe ligjërues në Shkollën për Oficer Rezervë në Qendrën e Artilerisë.
Ish-komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark e ka dekoruar gjeneral, Agim Çekun, me “Dekoratën për Shkëlqyeshmëri”.

Për merita ushtarake është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës me Medaljen për Shërbim Ushtarak.

Për kontributin e dhënë për çlirimin e Kroacisë, Presidenti i Republikës së Kroacisë i ka ndarë dekorata nga më të lartat e këtij vendi. Disa prej tyre janë: Urdhri “Bana Jelacica”, ”Nikole Subica Zrinskog”, “Hrvatskog Kriza”, “Hrvatskog Trolista”, “Hrvatskog Pletera” dhe Medalje për Iznimni Podhvat dhe për operacionin “Oluja”, “Domovinske Zahvalnosti” e shumë të tjera.

Agim Çeku flet dhe shkruan rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze, kroate, serbe dhe boshnjake. 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30