FSK-ja me ceremoni ushtarake shënoi 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së, në Prishtinë, sot u shënua me ceremoni ushtarake manifestimi qendror i shënimit të 13-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në ceremoni morën pjesë: UD. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e MM-së, znj. Rozafa Ukimeraj, përfaqësues të familjes Jashari dhe Rugova, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorët e QUINT-it, atashe të korit diplomatik, këshilltarë të NALT-it, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së. U.D. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, pasi përshëndeti të pranishmit tha: „Pavarësia e vendit nuk do të arrihej pa rezistencën qytetare të prirë nga presidenti Ibrahim Rugova, pa sakrificën sublime të djemve dhe vajzave të UÇK-së dhe komandantit Adem Jasharit me familje, por edhe të heronjve e dëshmorëve të tjerë të vendit, pa të cilët, liria do të mbetej vetëm ëndërr! Kjo nuk do të ishte e mundshme as pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ngase secili nga ta bëri diçka për ta vendosur një gur në projektin e pavarësisë së vendit! Ata guxuan, prandaj fituan”! Ajo pati edhe një falënderim të veçantë për aleatët të cilët ndihmuan në çlirimin e Kosovës. “U jemi përjetë mirënjohës NATO-s, SHBA-ve dhe Evropës, ngaqë pavarësia e vendit nuk mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”. Në fund, UD. znj. Osmani shprehi synimet e FSK-së dhe shtetit të Kosovës: “Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtria më e re në botë dhe po kalon nëpër periudhën e tranzicionit 10-vjeçar. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, FSK-ja krahas ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të veta, po punon edhe për realizimin e synimit strategjik të anëtarësimit në NATO. Shpresojmë dhe besojmë që në një të ardhme të afërt, ushtarët tanë do të jenë krahas atyre të NATO-s, kudo ku nevojë për ta mbrojtur paqen globale! Synim i vendit tonë është integrimi në bashkësinë e popujve evropianë”. Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, tha: „Përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Sot me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që udhëhoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve“. Më tej, kryeministri në detyrë, Hoti, shtoi se: “Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës“. Ai tha se ende mbetët shumë punë për të realizuar aspiratën për integrime euroatlantike. „Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhen udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare“. Manifestimi qendror u përmbyll me ekzekutimin artistik të Orkestrës Frymore të FSK-së. 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28