Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt sesioni i II-të për Komunikim Strategjik

Sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u mbajt sesioni i II-të, i Komitetit Ndërministror për Integrim dhe anëtarësim në NATO.

Në takimin e sesionit të II-të, morën pjesë: Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zëvendësministri i Mbrojtjes Burim Ramadani, njëherësh edhe koordinator i Komitetit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim të Kosovës  në NATO, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, këshilltarja për Komunikim Strategjik në NALT, për Ministrinë e Mbrojtjes, znj. Nicolien Wellen, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Vicenco Grasso si dhe përfaqësues të personelit të Zyrës së Kryeministrisë dhe zyrave të informimit të ministrive të Republikës së Kosovës, që janë pjesë e Komitetit ndërministrorë.

Zv. ministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani bëri hapjen e punimeve të sesionit të II-të, të Komunikimit Strategjik të Komitetit Ndërministror për Integrim dhe Anëtarësim në NATO. 

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, z. Rrustem Berisha, në sesionin e dytë; foli për të arriturat e përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe në veçanti për Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, i cili do të implementohet gradualisht në tri faza gjatë dhjetë viteve të ardhshme, deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale. Ministri Berisha falënderoi gjithashtu të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, duke shtuar se; tranzicioni do të bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës, NATO-n, KFOR-n, SHBA-të.

„Të gjitha arritjet e deritashme janë storie e përbashkët edhe e ndërkombëtarëve me KFOR-in, NATO-n, NALT-in“ përfundoi fjalën e tij ministri Berisha.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama i njoftoi pjesëmarrësit për sukseset dhe sfidat e deritashme të FSK-së. „Transparenca dhe sinqeriteti me partnerët tanë strategjikë, NATO-n, KFOR-in, NALT-in, është i rëndësishëm në arritjet e përgjithshme të FSK-së“, për të shtuar se, „për ne prioritet mbetet zhvillimi i komunikimit strategjik, që është shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin me NATO-n, aty ku është edhe synimi ynë për anëtarësim”.

Punimet e sesionit i ndihmuan edhe znj. Nikcolien Wallen, këshilltare për komunikim strategjik në NALT, dhe zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Vicenco Grasso, të cilët folën për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, si dhe për përvojën e tyre në komunikimin strategjik.

Kurse koloneli Haki Hoti, drejtor i Departamentit të Transformimit të Ministrisë së Mbrojtjes  foli për temën: FSK-ja, dje dhe sot. 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31