FSK-ja realizoi me sukses trajnimin fushor „Komando dhe Bjeshkatari“

Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi së bashku me komandantin e Brigadës së Reagimit të Shpejtë gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj dhe komandantin e Kontingjentit të KFOR-it, Turk në Kosovë, kolonelin Numan Bash, dje vizituan pjesëtarët e Batalionit të Parë të BRSH-së, në Gjilan, gjatë realizimit të ushtrimit „Komando dhe Bjeshkatari“ nga instruktorët e ushtrisë turke.

Pjesëtarët e FSK-së, gjatë realizimit të këtij ushtrimi, në terren të hapur, në vendin e quajtur „Guri i Plakës“ në Komunën e Drenasit, para vizitorëve, demonstruan ushtrimet që i kanë mësuar gjatë këtyre 8 javëve të trajnimit, si: lëshimi me litar, ngjitja me litar, kalimi nga një bjeshkë në tjetrën përmes litarit si dhe kalimi i lumit me litar.

Me këtë rast, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi u nda mjaft i kënaqur nga gjithë ajo që pa gjatë realizimit praktik të trajnimit, dhe nga ato, që dëgjoi nga instruktorët e këtij trajnimi. „Ju përgëzoj për realizimin me sukses të këtij trajnimi mjaft sfidues „Komando dhe Bjeshkatari“, i cili u realizua në terrene të ndryshme dhe të panjohura. Ju gjatë tërë kohës na bëni të ndihemi mjaft krenar me sukseset, interesimin për të përfituar njohuri dhe kolegjialitetin që keni krijuar me instruktorët turq” tha gjeneral Cikaqi.

Ndërsa, komandanti i BRSH-së, gjenerali Fadil Hadergjonaj, pasi i përgëzoi pjesëtarët e FSK-së, për mbarëvajtjen me sukses të këtij trajnimi, Ai, njëherësh e vlerësoi lartë rëndësinë e këtij trajnimi për FSK-në, në përgjithësi.

Në trajnimin „Komando dhe Bjeshkatari“ morën pjesë 25 pjesëtarë të BRSH-së, i cili trajnim ka filluar të realizohet me 23 prill 2019, dhe pritet të përfundojë me 27 qershor 2019, në Gjilan. Trajnimi do të zgjasë  9 javë, dhe po realizohet nga ekipi i instruktorëve të KFOR-it turk.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31