Një Delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë vizitoi FSK-në

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës / Koordinator për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, z. Burim Ramadani, mirëpriti në një takim zyrtar delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë të udhëhequr nga, z. Florian Kali, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Mbrojtjes të Ministrisë të Shqipërisë.

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, zv. ministri, Ramadani i falënderoi mysafirët për bashkëpunimin dypalësh dhe njëherësh shprehu mirënjohjen për mbështetjen e drejtpërdrejtë të Shqipërisë dhënë Kosovës për anëtarësimin e plotë në Iniciativat rajonale.

Zoti Ramadani, më tej, delegacionin nga Shqipëria e informoi edhe rreth hapave transformues të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për procesin e hartimit dhe të miratimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, si dokument thelbësor ku do të mbështeten objektivat e ardhshme reformuese të aparatit shtetëror.

Gjithashtu, z. Ramadani, delegacionin nga Shqipëria e njoftoi edhe me përkushtimin e Kosovës në synimet për anëtarësim në NATO, duke shprehu bindjen se paqja e përhershme në Ballkan arrihet përmes integrimeve Euro-Atlantike.

Delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditës së sotme, u prit edhe nga Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane dhe koloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrimet Euro-Atlantike në Ministri të Mbrojtjes.

Më pas të dy delegacionet vazhduan takimet e përbashkëta me qëllim të koordinimit të proceseve të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes në harmonizimin e qëndrimeve dhe realizimit të tyre në bazë të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2020. 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31