Delegacioni i kadetëve i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë vizitoi FSK-në

Në Forcën e Sigurisë së Kosovës ( FSK ),  gjatë këtyre dy ditëve, ka qëndruar për vizitë një delegacion i kadetëve të FARSH-së së bashku me pedagogët e stafit akademik të Kursit për Përgatitjen e  Oficerit, me një përbërje prej 60 pjesëtarësh .

Gjatë vizitës,  pjesëtarët e delegacionit vizituan Qendrën për Studime Universitare ( QSU ) të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë  dhe  Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes ( KDS )  në Ferizaj, ku zhvilluan takime të ndryshme me pjesëtarët e FSK-së, të cilën përmes disa prezantimeve  i  njoftuan  me  ecurinë e përgatitjes së oficerëve të rinj të QSU-së.

Stafi akademik i FARSH-së, i  kryesuar nga  shefi i Departamentit të KPO –së kolonel Zaho Golemi, u priti edhe nga  komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi, shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Hasan Hoxha dhe komandantin e Qendrës për Studime Universitare i QSU-së, major Vegim Krelani. Ata së bashku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive, si dhe për mënyrën dhe rëndësinë e shkollimit të kadetëve.

Më pas,  stafi i  pedagogëve të FARSH-së iu bashkua kadetëve të  FSK-së dhe FARSH-së,  të cilët po shoqëroheshin  me njëri-tjetrin dhe po shkëmbenin përvoja së bashku. Ndërkaq, gjeneral Cikaqi i  përshëndeti dhe i përgëzoi kadetët për sukseset e treguara gjatë shkollimit dhe për miqësinë që ata krijuan gjatë këtyre ditëve,  duke kërkuar nga ta që kontaktet e  krijuara gjatë kësaj vizite  t’i ruajnë dhe  t’i avancojnë në të ardhmen duke shkëmbyer përvoja në të mirë të  dy palëve.

Delegacioni i FARSH-së, para nisjes për në Shqipëri vizitoi  edhe Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Kjo vizitë u zhvillua në bazë të bashkëpunimit dypalësh të FSK-së me FARSH-në,  në kuadër  të vizitave për njohjen e vendeve të rajonit, institucioneve të sigurisë dhe çështjeve të tjera me interes që lidhen me Akademinë e oficerëve të rinj të FSK-së.

 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31