Ministri i Mbrojtjes priti përfaqësuesit e shoqatës ,,Atlantiku’’ nga SHBA

Ministri  Rrustem Berisha ka pritur sot në takim në Ministrinë e Mbrojtjes një grup anëtarësh të shoqatës shqiptaro- amerikane ,,Atlantiku’’, njëherësh ish- luftëtarë të Batalionit ,,Atlantiku’’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetarë të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën e Kosovës (1999).

Ministri i Mbrojtjes z. Berisha, së pari u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve duke shprehur kënaqësinë e tij të madhe që po pret në Ministrinë e Mbrojtjes, përfaqësuesit e shoqatës ,,Atlantiku’’ .  Pasi i falënderoi veteranët e ish –Batalionit “Atlantiku” ministri  Berisha u shpreh: ,, Vendimi juaj për të ardhur në luftë, në ’99-tën, ishte një vendim shumë i qëlluar, që pati ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin jo vetëm të luftëtarëve që ishin nëpër vija të frontit  por edhe te popullata civile’’.

Më pas ministri Berisha i informoi veteranët e ,,Atlantikut’’ edhe lidhur me procesin e tranzicionit dhe planin e zhvillimit të FSK-së në të ardhmen.

Në emër të komandantit të FSK-së, të pranishmit i përshëndeti gjeneral major Gëzim Hazrolli, i cili i falënderoi  shqiptaro- amerikanët për kontributin e tyre gjatë kohës së luftës dhe për gjithë angazhimin dhe ndihmesën e tyre në ndërtimin e paqes.  Vlen të përmendet ndihma e tyre ofruar për shkollimin e kuadrove të reja të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdimësia e së cilës më pas u konkretizuar me planin dypalësh mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës,  si dhe bashkëpunimi me akademitë më prestigjioze amerikane siç është ajo me West Point.

Ndërsa, në emër të shoqatës ,,Atlantiku’’ foli z. Mark Gjonaj, i cili pasi e falënderoi  ministrin Berisha për  pritjen i  përgëzoi krerët e FSK-së për arritjet në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, si një prej institucioneve me vitale të shtetit, duke premtuar se shqiptaro- amerikanët –ish luftëtarë të UÇK-së përherë do jenë të gatshëm ta ndihmojnë Kosovën edhe në të ardhmen.

Gjithashtu  këtë takim e përshëndeten edhe z. Skënder Doqaj, ish admiral shqiptar,  Ukë Lushi dhe të tjerë.

Në fund, veteranët e UÇK-së, pjesëtarë të shoqatës ,,Atlantiku”, vizituan  kazermën e Forcave Tokësore dhe vendosën kurora lulesh tek Obelisku i të rënëve.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31