Vizita e liderëve të lartë të FSK-së dhe delegacionit të Shtabit të Forcës Tokësore në Ajova

Bazuar në Planin dypalësh me SHBA-të, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, në kuadër të aktiviteteve të Programit të Partneritetit me Gardën Kombëtare të Ajovës, dy delegacione të oficerëve të lartë të FSK-së, nga data 25 – 31 mars 2019 ishin për vizitë në Ajova.

Delegacioni i liderëve përbëhej nga komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Irfete Spahiu dhe rreshter majori i KDS-së Xhevdet Mataj.

Në të njëjtën kohë, në aktivitetin ,,Staff Directorate” në Ajova, ka qëndruar për vizitë edhe delegacioni i oficerëve të Komandës së Forcave Tokësore i përberë nga shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Hasan Hoxha, kolonel Fadil Hoxha, nënkolonel Arbnor Zeneli, major Dedë Hiseni dhe kapiten Qëndrim Kastrati.

Qëllimi i këtyre vizitave ishte shkëmbimi i përvojave mes liderëve dhe të stafit të FSK-së dhe të Gardës Kombëtare të Ajovës. U diskuan strategjitë e menaxhimit të trajnimeve dhe mekanizmat e planifikimit dhe prokurimit. Ky shkëmbim i përvojave do t’i ndihmojë stafit të KFT-së për të hartuar planin vjetor të trajnimeve, drejtimin dhe mbajtjen e gjendjes së trajnimeve individuale dhe atyre të njësive dhe hartimin e planit të trajnimeve për vitet e ardhshme. Në fokus të takimeve dhe vizitave ishte identifikimi i fushave të bashkëpunimit ndërmjet njësive dhe departamenteve homologe.

Të dy delegacionet u pritën nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneralmajor Timothy Orr, komandanti i Forcës Ajrore të Ajovës, gjeneral brigade Ford dhe stafi i Shtabit të Përbashkët të Gardës Kombëtare të Ajovës.

Delegacionet kanë marrë pjesë në Brifingun e mirëseardhjes, kanë vizituar poligonet e operacioneve, Qendrën Simulative dhe Qendrën e Trajnimeve Specialistike ku u njoftuan me kapacitetet trajnuese që i ofrojnë këto qendra për FSK-në.

Po ashtu delegacionet kanë vizituar Shtabin e Përbashkët të Forcave Ajrore ku janë informuar për vazhdimin e mbështetjes nga Garda e Ajovës në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në mbrojtje kibernetike, mjekësi dhe MKAB.

Delegacionet i kanë vizituar këto njësi dhe i kanë parë pajisjet dhe automjetet e tyre.

Delegacioni i liderëve ka marrë pjesë në Këshillin e Menaxhimit të Seniorëve. Po të njëjtën ditë ata kanë vizituar Institutin Rajonal të Trajnimeve, ku janë informuar me trajnimet për zhvillim të liderëve dhe për trajnimet për specialitetet profesionale ushtarake të cilat i ofron ky Institut. 

Rreshter majori i KDS-së, Xhevdet Mataj ka marrë pjesë në një punëtori me Rreshter majoren Fells të Gardës së Ajovës rreth zhvillimit të kanalit të nënoficerëve.

Delegacionet e FSK-së kanë marrë pjesë edhe në Këshillin e Gatishmërisë dhe Qëndrueshmërisë dhe kanë vizituar në kryeqytetin e Ajovës, Des Moins, Dhomën e Senatit të  shtetit  të Ajovës, ku janë pritur dhe informuar nga senatorët e Ajovës.

Të dy delegacionet së bashku kanë vizituar Konsullatën e Republikës së Kosovës, ku janë pritur nga konsulli, z. Xhavit Gashi nga i cili janë informuar rreth bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Ajovës në shumë fusha.

Stafi i lartë i FSK-së gjithashtu ka qenë i  ftuar dhe ka marrë pjesë në Konferencën për oficerët e rinj dhe në Takimin e Komandantit të Gardës së Ajovës me pjesëtarët e pensionuar të GKA (RECONCOM CALL).

Kjo vizitë e oficerëve të FSK-së i paraprinë vizitës së stafit të lartë të Gardës Kombëtare të Ajovës e cila pritet të vizitojnë FSK-në, në muajin maj.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31