Ministri i Mbrojtjes i Turqisë viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës

Sot, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, z. Rrustem Berisha priti në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, z. Hulusi Akar.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, z. Hulusi Akar u prit me nderime të larta ushtarake nga Njësia Ceremoniale dhe Trupa Muzikore e FSK-së.

Të dy ministrat, Berisha dhe Akar, së pari zhvilluan një takim të përbashkët, kokë më kokë. Më pas takimi vazhdoi në nivelin e zgjeruar të dy delegacioneve.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë shoqërohej nga një ekip i gjerë bashkëpunëtorësh dhe zyrtarësh, kurse ministri Berisha shoqërohej nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe gjeneralë e oficerë të lartë të FSK-së, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në takimin e përbashkëte të të dy delegacioneve u prezantuan arritjet e përgjithshme të FSK-së, procesi i transformimit dhe perspektiva e zhvillimit sipas planeve të parapara. Po ashtu u bë edhe prezantimi i bashkëpunimit të deritashëm në mes të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë si dhe të dy ushtrive përkatëse, duke evidentuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të ardhmen.

Në fund të takimit të dy ministrat, Berisha dhe Akar, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes, në të cilën përfshihen fushat me interes të përbashkët të bashkëpunimit.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31