Kompania 3B zhvilloi ushtrimin fushor „SKIFTERI 02“

Në kuadër të planit të aktiviteteve dhe trajnimeve për vitin 2018, Kompania 3B e Batalionit të Tretë të BRSH-së, nga data 20 deri më 22.11.2018 ka zhvilluar ushtrimin fushor „SKIFTERI 02”.

Ushtrimit fushor të Kompanisë 3B i janë bashkuar edhe njësitet tjera të specializuara të Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), si Njësia e Kërkim-Shpëtimit, ajo e MKAB-së (Materieve Kimike Atomike Biologjike), etj.

Me ketë ushtrim, Kompania 3B e ka përmbyllur trajnimin ”gjenerimi i forcës”, i cili ka filluar nga data 03.09.2018  dhe ka përfunduar më datën 22.11.2018.

Ushtrimi fushor u mbajt në territorin e Fushë-Kosovës, ku morën pjesë Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës me drejtoritë përkatëse komunale; Agjencitë Civile të Komunës, Kryqi i Kuq, Zjarrfikësit dhe Shërbimi Mjekësor Emergjent.

Më datën 20.11.2018 Kompania 3B e BAT-3 është dislokuar nga kazerma “Minatori” për në kazermën ,,Evropianët e Rinj“ në Pomozetin, ku nga këtu, ka intervenuar në të gjitha vendincidentet e parapara në planin e ushtrimit fushor “SKIFTERI 02”.

Qëllim i këtij ushtrimi ishte testimi i gatishmërisë dhe personelit të Kompanisë 3B, gjatë intervenimeve në: Operacione urbane, Pikë kontrolli, Okupim i bazës patrulluese, Patrullim, Kordon kërkim, Ngritja e pikës së vëzhgimit etj. Po ashtu kishte si synim koordinimin e veprimeve të Batalionit të Tretë të BRSH-së me Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës.

Ushtrimi është planifikuar dhe udhëhequr nga Shtabi i Batalionit të Tretë, ndërsa është vlerësuar nga ekipet vlerësuese të FSK-së.

Ushtrimi fushor „SKIFTERI 02” u përcoll nga KOMBRSH-së, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, KOMBAT-3, nënkolonel Sylejman Cakaj etj.

Gjenerali Hadërgjonaj e përgëzoi Kompaninë 3B, për realizimin e shtrimit me profesionalizëm të lartë, për gatishmërinë dhe motivin e treguar gjatë realizimit të tij, dhe njëherësh kërkoi nga ta që të vazhdojnë më përkushtim përmbushjen e obligimeve dhe detyrave qe i presin.

Për më tepër, ky ushtrim fushor dëshmon që BAT-3 është i gatshëm dhe ka kapacitete të zhvillojë operacione që t’ju  dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës në Zonën e përgjegjësisë të cilën e mbulon.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30